14. Dhjetor 2018.
Firmoset Memorandumi për Bashkëpunim midis Kuvendeve të komunave të Ulqinit dhe Preshevës

Më 14.12.2018 në Ulqin, kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit z. Ilir Çapuni dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës z. Sami Salihu nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim në mes të dy Kuvendeve vendore. Komunat tona kanë shumëçka të përbashkët, edhe të mirat edhe të këqijat tha Çapuni duke shtjelluar nevojën për formalizimin e bashkëpunimit në mes të dy organeve përfaqësuese të këtyre dy komanve.  Memorandumi parashikon shkëmbimin e praksës legjislative dhe përfaqësuese si dhe shkëmbimin e praktikave në zhvillimin e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe turizmit. Simbolikisht,  Çapuni memorandumin e ka firmosur me laps blu me mbishkrimin e Komisionit Evropian dhe shtoi që aplikimi i standarteve evropiane nuk na shpien vetëm në Bashkimin Evropian, por ngrit kualitetin e jetës të secilit qytetar. 

Kryetari i Kuvendit të Preshevës z. Sami Salihu shprehu kënaqësinë për vizitën. Ai iu falenderua nikoqirëve për pritjen e ngrohtë gjatë dy ditëve. Edhe ai, pas vizitave të disa institucioneve konfirmoi që një numër i madh i problemeve me të cilët hasen qytetarët e këtyre dy komunave kanë natyre identike. 

Gjatë vizitës së tyre dyditëshe në Ulqin, kryetari i Kuvendit Salihu i shoqëruar me drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm të Komunës së Preshevës dhe drejtorin e Qendrës për Punë Sociale të Preshevës u takuan me kryetarin dhe nënkryetarin e Komunës z. Loro Nrekiqin dhe Astrit Hoxhën, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve z. Faik Nikën, drejtorin e Qendrës për Veprimtari Sociale z. Mehmet Durakun, sekretarin e Sekretariatit për Urbanizëm z. Mehmet Millën, drejtorin e Qendrës për Kulturë z. Musa Hoxhën dhe udhëheqësin e Muzeut z. Gazmend Kovaçin. Mysafirët kanë vizituar edhe Shkollën Fillore “Marshal Tito” dhe Shërbimin e Shpëtimit të Komunës së Ulqinit.

Në të ardhmen, pritet intensifikim i marredhënieve në mes të dy Komunave. 

Shërbimi i Kuvendit të Komunës së Ulqinit