09. Prill 2019.
Kryetari i K.K Ulqin, dr. Ilir Çapuni vizitoi shkollën "Marko Nuculoviq"

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Dr. Ilir Çapuni në kuadër të aktiviteteve të veta të rregullta, sot ka vizituar shkollën “Marko Nuculoviq”. Qëllimi i kësaj vizite ishte që në komunikim direkt me drejtorin e shkollës dhe të punësuarit, të njihet me të gjitha problemet, sukseset dhe të arriturat e kësaj shkolle, posaçërisht pas fitimit të vendit të tretë në garat Ballkanike “Shkollat për shekullin 21”.

Drejtori Dul Asllani e ka njoftuar hollësisht Çapunin me të gjithë problemet, por edhe me sukseset e nxënësve të kësaj shkolle. Në këtë shkollë mësimin e ndjekin pakëz më pak se 100 nxënës, por pritet që në vitin e ardhshëm shkollor ai numër të jetë mbi 100. Asllani ka theksuar, që shkolla nuk ka sallë të fiskulturës, bibliotekë e shumë gjëra të tjera, që janë të domosdoshme që kjo shkollë të funkconojë normalisht. Përveç kësaj shkolla është e rrënuar dhe vjetëruar, kështu që është e domosdoshme që sa më parë të bëhet adoptimi dhe rinovimi. Komuna e Ulqinit para dy vitesh kësaj shkolle i ka ndihmuar në pajisjen e secilit kabinet me projektor. 

Asllani po ashtu ka thënë se shkolla rregullisht organizon punëtori edukative për nxënësit e saj. Gjithashtu ka thënë se nxënësit e shkollës “Marko Nuculoviq” rregullisht marrin pjesë në gara të ndryshme dhe shpesh arrijnë rezultate të lakmueshme dhe në mënyrë ambicioze planifikon projekte të reja siç është Eko-shkolla në kuadër të së cilës planifikojnë që të mbjellin një ullishtë prej 20 ullinjve dhe të ndërtojnë dy sera. 

Me krenari ka theksuar garat në programim duke shfrytëzuar Microbit pajisjet, e që i ka organizuar Ministria e arsimit në bashkëpunim me ambasadën Britanike. Në garat e përmendura nxënësit Irena Selçanin, Nora Selçanin dhe Anabela Rudoviq, kanë fituar vendin e dytë në Mal të Zi. Për suksesin e arritur, Ministria i ka shpërblyer me një lap-top dhe kanë fituar të drejtën të marrin pjesë në garat rajonale, që janë mbajtur në Beograd, më 4 prill të këtij viti në të cilat projekti i tyre ka fituar vendin e tretë. 

Kryetari i Kuvendit ka shprehur kënaqësinë për rezultatet e arritura, por shqetësimin për problemet e përmendura. Çapuni ka konstatuar që në këtë moment, mundësitë e Komunës janë të kufizuara, por ka rekomanduar që sa më parë të fillojnë me punimin e dokumentacionit projektues për sallën e fiskulturës dhe për shkollën e re, me qëllim që ai projekt të kandidohet për investimet kapitale për vitin e ardhshëm. Çapuni shpreson që Ministria e arsimit dhe sportit, do të ndërmarrë masa konkrete, me qëllim që shkolla të jetë plotësisht funksionale me qëllim të sigurimit të të gjitha parakushteve që nxënësit e kësaj shkolle të kenë kushte optimale për arsimim, zhvillim dhe edukim.

 Shkolla fillore “Marko Nuculoviq” është themeluar në vitin 1931. Në vitin shkollor 1965/66, shkolla bëhet shkollë tetëvjeçare për 289 nxënës të ndarë në 14 paralele me mësim në të dyja gjuhët. Me rastin e tërmetit shkatërrues në vitin 1979 shkolla dëmtohet në mënyrë drastiek, e më vonë është ndërtuar përsëri si objekt montazh. Mësimi në këtë shkollë edhe sot zhvillohet në të dyja gjuhët, malazeze dhe shqipe. Shkollën momentalisht e ndjekin 93 nxënës, kurse të punësuar janë 22 kuadro arsimor. 

  Shërbimi për media I KK Ulqin