04. Korrik 2020.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit: "Kumtesë nga takimi me përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Ulqinit"

Më 4 korrik 2020, kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Dr. Ilir Çapuni me bashkëpunëtorë, në prani të kryetarit të Komunës Loro Nrekiq, nënkryetares Hadixhe Gjoni dhe sekretarit të Sekretariatit për Veprimtari Komunale Mustafë Gorana, priti Kryeimamin e Ulqinit Ali ef. Bardhi,  kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit Sabaudin Goranën, sekretarin Agim Dragovoja, imamët Mirsad ef. Muçaj, Suad ef. Ukoshata dhe Medjen ef. Shaptafa për të diskutuar Vendimin mbi Përcaktimin e Zonave Akustike në komunën e Ulqinit, i cili është propozuar nga ekzekutivi i Komunës dhe është miratuar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit më 29 qershor të këtij viti. 

 Në takim u dakordua njëzëri që qëllimi i këtij vendimi nuk është për të mbrojtur ambientin nga zëri që vjen nga muzeumet, bibliotekat, e objektet fetare, por për të mbrojtur bibliotekat, muzeumet, objektet fetare dhe objektet e ngjashme nga zhurma përreth tyre, siç ka qenë rasti në të kaluarën me disa xhami të qytetit kur zhurma nga lokalet përreth ka penguar lutjet brenda tyre. Për më tepër, u dënuan ashpër insinuatat, të pavërtetat dhe keqinterpretimet tendencioze nga njerëz jokompetentë, të cilët këtë vendim e quajnë vendim që ndal ezanin kurse ezanin e trajtojnë si zhurmë. Lidhur me këtë, ftohen qytetarët që të mos pëkrahin asnjë fushatë joinstitucionale me prapavija të panjohura dhe jo të mira me të cilat sulmohen apo përgojohen këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe nëpunësit e Komunës së Ulqinit. Fatkeqësisht, titujt përçarës në opinion dhe vlugu i keqinterpretimit të këtij vendimi, me hir e pahir, kanë pasur si synim që puna e mirë të ekzekutivit të Komunës në rregullimin e zonave akustike në pjesët më atraktive të qytetit të zëvendesohet me propagandë për llogari të politikave ditore duke prekur ndjenjat më sublime të qytetarëve që kanë të bëjnë me ndjenjat fetare.  

 Në vendimin final që do të botohet në Fletoren zyrtare, do të shmangen formulimet që japin mundësi për interpretime dashakëqia që bien ndesh me natyrën e vendimit dhe materien që ai rregullon.