05. Tetor 2018.
Botohet dhe promovohet libri „Hapësirat Kulturore-Mbi Arkitekturën dhe Identitetin  e Ulqinit, Mali i Zi"

Nën përkujdesjen e profesorëve Caroline Jaeger-Klein, Ulrike Herbig dhe Renate Bornberg të Universitetit Teknologjik të Vjenës,  profesorëve Florian Nepravishta dhe Ledita Mezini të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe falë entuziazmit të arkitekteve Gjejlane Hoxha dhe Lirjeta Avdiut, doli nga shtypi libri „Hapësirat Kulturore-Mbi Arkitekturën dhe Identitetin e Ulqinit, Mali i Zi”. Ky libër është në fakt një përmbledhje referatesh shkencore të punës gati dyvjeçare të mbi 50 studentëve nga 11 shtete të ndryshme për Ulqinit.  

 

Ky projekt nën përkujdesjen e Komunës së Ulqinit ka filluar punën dy vjet më parë. Gjatë kësaj kohe, studjuesit kanë kaluar një kohë të gjatë në Ulqin për të studjuar thellësisht çdo aspekt të arkitekturës, kulturës, ligjit dhe etosit të Ulqinit. Botimin e këtij libri e mundësoi Kuvendi Komunal i Ulqinit.

 

Ky libër është një kontribut i çmuar në prezantimin e vlerave të veçanta që posedon trashëgimia kulturore e Ulqinit, në fokus më të madh të Qytetit të Vjetër të Ulqinit dhe në përpjekjen për të vënë theksin gjithnjë e më tepër në trajtimin e këtij aseti kulturor të trashëgimisë prej institucioneve.

 

Promovimi i librit u bë të shtunën, më 29 shtator në Pallatën Venecia me pjesëmarrjen e numri të konsiderueshëm të qytetarëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor, nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi dhe ambasadorit të Kroacisë në Podgoricë. Të pranishëmt i përshëndeti sekretaria për veprimtari shoqërore zonja Pranvera Suliq dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Ulqinit Ilir Çapuni. Më tej, për librin dhe rëndësinë e tij foli profesoresha Ulrike Herbig dhe prof. Dr. Florian Nepravishta.