02. Mars 2023.
Kryetari i Kuvendit Mavriq takon ambasadorin gjerman Peter Felten

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, z. Ardijan Mavriq priti në takim ambasadorin e Gjermanisë në Mal të Zi, Shkëlqesia Tij z.Peter Felten me bashkpuntoren e tij Azra Urbitsch.

Në fjalën hyrëse, Kryetari i Kuvendit z. Ardijan Mavriq e falenderoi ambasadorin për vizitën zyrtare që po i bën Kuvendit.  Kryetari Mavriq e njoftoi ambasadorin Felten për situatën aktuale në Ulqin, veçanarisht problemet të cilat përballet arsimi, ku kërkoi përkrahje për hapjen e një qendre të re dhe më të madhe për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu ka përgezuar që në shkollën e mesme Vllazërim Bashkim ligjerohet lënda e gjuhës gjermane nga profesor gjerman dhe ka dhënë propozim që e njëjta gjë të inkuadrohet edhe në shkollë fillore.

Bisedimet vijuan poashtu për Kriporen e Ulqinit, ku kryetari informoi atë për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për shpalljen e saj “Park Natyror”, ku shumë shpejt do të sillet Vendimi për themelimin (organizimin) e Sh.P.K. „Parku i Natyrës - Kriporja e Ulqinit“ e cila pritet të kryhet në periudhën e ardhshme. Poashtu solli në vëmendje edhe propozimin e këshilltarëve që ish ambasadorja gjermane Gurdun Shtajnaker të shpallet qytetare nderi e Ulqinit, gjë që beson se ky propozim do të votohet shumë shpejt.

Të dyja palët ranë dakord që Kriporja e Ulqinit duhet të jetë kryefjala e takimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe që statusi i saj të rregullohet sa më parë në menyrë që të fillohet puna e shumëpritur.